Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Italiane të Magjistraturës, realizoi sot shfaqjen e filmit dokumentar “Falcone e Borsellino – Il Fuoco della Memoria”, prodhuar nga kompania Biondani TMGSPA. Dokumentari synoi nderimin e kujtimit të dy heronjve të mëdhenj, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, në luftën kundër krimit dhe nxitjen e reflektimit mbi rëndësinë e kujtesës kolektive dhe luftën kundër krimit dhe mafies.
Aktiviteti u realizua me pjesëmarrjen e pedagogëve të shkollës si dhe kandidatëve për magjistratë të viteve të ndryshme që ndjekin studimet në shkollë. Në hapje të aktivitetit, të pranishmit i përshëndeti drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, dhe përfaqësuesi i Shkollës së Lartë Italiane të Magjistraturës, z. Carmine Pirozzoli, të cilët përshëndetën realizimin e dokumentarit si dhe theksuan rëndësinë e rolit të magjistraturës në shërbim të shoqërisë.
Pas shfaqjes së filmit, u mbajt një fjalë e shkurtër mbi veprën dhe jetën e dy magjistratëve të shquar italianë nga z. Engert Pëllumbi si dhe u realizua një seancë me pyetje, përgjigje, dhe diskutime në lidhje me temat e reflektuara nga dokumentari “Il Fuoco della Memoria”.